Një person ka mbetur i lënduar pas një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në rrugën “UÇK” në Prishtinë, më saktësisht “Te Qafa”.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Metro zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti i ka thënë Metros se ende nuk dihet se si e humbi kontrollin shoferi, ku më pas u përplas brenda dy lokaleve.
“Mbrëmë rreth orës 23:00, në rrugën “UÇK” në Prishtinë ka ndodhë një aksident trafiku, ku nje veturë për shkaqe akoma të pa sqaruara ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në këtë aksident është lënduar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut.”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se dje në Kosovë kanë ndodhur edhe dy aksidente të tjera, në një Harilaq dhe në Mramor, me ç’rast disa persona kanë mbetur të lënduar.
Policia e Kosovës ka bërë apel që të gjithë vozitësit e automjeteve të përshtaten me kushtet e rrugës dhe të mos vozisin me shpejtësi të madhe.