Site icon PrishtinaPress

Policia identifikon sulmuesit e gazetarit Valon Syla, pritet arrestimi i tyre

Ministri Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se një ditë pas sulmit fizik të gazetarit Valon Syla, policia ka arritur t’i identifikojë sulmuesit.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook.

“Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Tutje theksoi se sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm.

“Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme”, tha ministri.

Në fund Sveçla tha se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.

 

Exit mobile version