Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Shkak i të tilla rasteve shumë herë janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion.
Sinjali mëson se kështu ka ndodhur edhe së fundmi në stacionin policor në Rahovec, ku një person po dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor.
Burimet bëjnë me dije se i dyshuari kishte shkuar në stacion pasi Policia ia kishte konfiskuar veturën djalit të tij dhe në shenjë revolte ai kërkonte llogari.
Sipas informacioneve të para, i njëjti dyshohet se e ka kërcënuar policin, duke e paralajmëruar se do ta pësojë keq, duke iu drejtuar me fjalët “sherrin ki me ma pa, s’e din ti kush jom unë”.
Përballë kësaj situate, i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Kanosje’.