Policia italiane ka zhvilluar një aksion të madh në jug të vendit duke vënë në pranga 43 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e organizatës famëkeqe “Ndragheta”.
Mediat italiane raportojnë se gjatë aksionit të një dite më parë në zonën e Kalabrisë, janë vënë në pranga 43 perosna, të cilët akuzohen për zhvatje, ryshfete, vrasje si dhe për shumë vepra të tjera kriminale.
Pjesë e hetimit ishte edhe ndikimi i mundshëm i krimit të organizuar në politikën lokale.
Sipas raportimeve të medieve italiane, disa ish-politikanë nga Kalabria u vunë nën shënjestër të bastisjes me dyshimin se mund të kenë organizuar zgjedhje në bashkëpunim me mafian. Tashmë këta persona janë nën hetim.
Të dyshuarit kanë qenë nën vëzhgimin e hetuesve prej vitit 2018.
Që atëherë, autoritetet u përqendruan në gjurmimin e pasurive të të arrestuarve, si dhe në lidhjet e tyre politike dhe ekonomike.
Fokusi thuhet se ishte te familja e shquar Megna, që thuhet se ishte e përfshirë në ‘Ndrangheta.
Sipas zyrës së prokurorit në Catanzaro, familja ishte gjithashtu e përfshirë në aktivitete të dyshuara kriminale në Gjermani dhe Austri.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se të dyshuarit kishin kryer transaksione bankare dhe financiare mashtruese me mbështetjen e hakerëve gjermanë.
“Ndrangheta” dominon tregtinë ndërkombëtare të drogës, ndërsa përfiton gjithashtu nga tregtia e armëve, pastrimi i parave dhe korrupsioni.
Ajo i ka rrënjët në Kalabri, e vendosur në skajin jugperëndimor të Italisë./albeu