Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka kryer bastisje mbrëmë në shtëpinë e një qytetari në Shtërpcë, i cili dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë të gjuetisë, një thikë, një rrethatore dhe sasi të municionit.
“Policët e rendit dhe policët hetues menjëherë i janë përgjigjur kësaj informate dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit S.D (M/K) i moshës 48 vjeçar, i cili shkak i një mosmarrëveshje kishte kanosur bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur e më pas janë konfiskuar: një pushkë e gjuetisë, një thikë, një rrethatore dhe sasi e municionit”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Armëmbajtje pa leje dhe kanosje’, teksa janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit.