Policia e Kosovës ende nuk ka shqiptuar gjoba të larta financiare për shkelje të rregullave në komunikacion, ndonëse Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor ka hyrë në fuqi qe 7 ditë, në bazë të të cilit parashihen dënime “astronomike” financiare për shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion, shkruan sot, gazeta “Zëri”.
Sipas këtij Ligji, nëse shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane është mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, të përcaktuar me rregulla të përgjithshme, atëherë shoferi dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 300 deri në 900 euro, ku përveç gjobës atij i shqiptohet masa mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.
Megjithatë, Jeton Rexhepi, drejtor i Departamentit Rrugor në Policinë e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se prejse ka hyrë ligji në fuqi ende nuk është shqiptuar gjobë, ku vlera e saj arrin shumën deri në 900 euro.
“Për momentin nuk ka informacione se ka gjoba të tilla, mirëpo qytetarët duhet të vazhdojnë ta respektojnë kufizimin e shpejtësisë, me respektim të rregullave të trafikut duke filluar nga pajisjet për përdorim të rripit të sigurisë”, ka thënë Rexhepi.
Kreu i Departamentit Rrugor në Polici thotë se bazuar nga kontaktet me Policinë në terren dhe qytetarët, ky ligj është duke gjetur zbatim në masë, dhe qytetarëve nuk po u mungon njohuria për rregullat e reja në trafik.