Site icon PrishtinaPress

Policia e Kosovës tregon për gjendjen në Veri, po heton personat që kryen incidentet

Policia e Kosovës ka dalë me një deklaratë rreth situatës së sigurisë në veri të vendit. 

“Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individë apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Policia e Kosovës tha se është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

Policia e Kosovës shton se në vazhdimësi po përcjell dhe vlerëson situatën e sigurisë, konform të cilave edhe ka ndërmarrë masat e nevojshme duke rritur kapacitetet e saja policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, mbrojtjes së jetës e pronës si dhe parandalimit të incidenteve dhe akteve të ndryshme kriminale.

Ky institucion konfirmon se do të vazhdojë angazhimin e saj për rend dhe sigurinë publike. 

“Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policor, një pjesëtar i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësor, sipas Policisë, është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore, njëkohësisht fton të gjithë qytetarët për qetësi dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës e cila ç’do herë do të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime”.

Exit mobile version