Site icon PrishtinaPress

Policia e Kosovës shqiptoi 1740 qortime: Më 22 nëntor nis gjobitja për targat ilegale

Edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

Kështu bën të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi.

Sipas PK-së, ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data 1 nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa KM në Kosovë, iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Ndërkaq, deri më 20 nëntor në mesditë janë shqiptuar rreth 1.740 qortime.

“Deri më datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të fillojë zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, faza e parë për kalimin nga tabelat ilegale në ato RKS përfshiu qortimin e shoferëve, ndërsa e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm automjete me targa RKS.

Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Exit mobile version