Policia e Kosovës ka bërë një njoftim lidhur me mbarëvajtjen e protestës së nesërme të paralajmëruar nga OVL e UÇK-së.
Policia ka bërë të ditur se janë marrë masat e nevojshme dhe se janë takuar me përfaqësues të OVL të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes.
“Policia e Kosovës me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore. Sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga PK-ja, kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës.”, thuhet në komunikatë.
Tutje PK bën të ditur se e njeh të drejtën për shprehje të lirë të pakënaqësive si e drejtë ligjore. Po ashtu, bën të ditur se janë marrë masat për ofrimin e sigurisë publike, ruajtjen e rendit, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik.
“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik. Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimit / protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore. Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.”, përfundon komunikata.