Sot, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Naim Rexha me bashkëpunëtorë, priti në takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.
Gjatë takimit u bisedua për tema me interes të përbashkët për dy agjencitë, me theks në ngritjen dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, luftimin e ekonomisë joformale, luftimin e kontrabandës si dhe bashkërendimin e aktiviteteve në pikat doganore.
Qëllimi i avancimit të bashkërendimit të aktiviteteve në pikat doganore, është që të ndihmojë në lehtësimin e qarkullimit dhe lëvizjes së bashkatdhetarëve që vijnë në pushime në vendin tonë gjatë sezonit veror.
U. d. së Drejtorit të Policisë, Rexha falënderoi Berishën, duke vlerësuar se vizitat ndërinstitucionale do të shërbejnë për të forcuar bashkëpunimin reciprok në të mirë të qytetarëve.
Të dy drejtuesit e agjencive u zotuan për vazhdimin dhe ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit të ndërsjellët edhe në të ardhmen.