“Deri më tani mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion të gjerë policor. Me qellim te mosdëmtimit të hetimeve dhe realizimit të këtij operacioni nuk mund të japim më shumë informacione. Pas përfundimit do të dalim me informacione të plota”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK-së.
Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe ndërlidhet me disa hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga disa punonjës të Divizionit të Lojërave të Fatit në ATK. Si rrjedhojë, janë marrë në pyetje edhe disa inspektorë të këtij institucioni.
Bastisjet i ka konfirmuar për Gazeten Express, kreu i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, i cili tha se policia gjatë ditës së sotme e ka vizituar institucionin që ai drejton.
Por, Imeri ka qenë i kufizuar në dhënien e deklaratave se sa zyrtarë të ATK-së janë intervistuar nga policia dhe për arsyet e bastisjes në ATK.
“Ende nuk është përfunduar aksioni. Ne do të prononcohemi pasi të përfundoj aksioni. Pasi që ende po udhëhiqet nga ana e policisë, këta të fundit do të japin deklaratë. Aksioni është bërë sot. Për informata të tjera do të flasim nesër”, ka thënë Imeri.
Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar aksionin, por merret vesh se ai do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte.
Policia arreston dy zyrtarë të Administratës Tatimore
Dy zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, nga Divizioni për Lojëra të Fatit, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit të bastisjeve, gjatë ditës së sotme.