Policia e Kosovës, të mërkurën, ka arritur të kapë dy të dyshuar të moshës së mitur për disa raste vjedhjesh në markete dhe barnatore të ndryshme në Prishtinë, gjatë muajve të fundit.
Në njoftimin e Policisë, bëhet e ditur se gjatë operacionit të kryer nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, njërit prej dy të arrestuarve R.H. (17 vjeç) dhe B.C. (15 vjeç), i është gjetur një revole.
Bëhet e ditur se të arrestuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë.
Ky është njoftimi i policisë:
Policia e Kosovës në funksion të ushtrimit të autorizimeve të saj që konsistojnë në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike për komunitetin si dhe goditjen e individëve dhe grupeve kriminale, ka organizuar punën e saj me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.
Kësisoj, hetuesit policor të rajonit të Prishtinës të mbështetur nga Njësiti Special Operativ (NJSO), dje kanë ndërmarrë një operacion, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar, njërit prej të cilëve i është gjetur dhe konfiskuar një armë (revole Ecol Special).
Personat e arrestuar, dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve të armatosura, që janë raportuar gjatë dy muajve të fundit në markete dhe barnatore, ku përveç që kanë arritur të marrin shuma të ndryshme parash, të njëjtit kanë shtënë edhe me armë zjarri (pa shkaktuar lëndime në njerëz).
Pjesë e operacionit ka qenë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve ku policia ka arritur të gjej dhe sekuestroj gjësende (doreza, maska etj.) si prova materiale për dokumentimin e veprave të cilat po hetohen.
Personat e dyshuar:
– R.H , mashkull, 17 vjeç , shtetas i Republikës së Kosovës dhe
– B.C, mashkull, 15 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave policore, janë dërguar në Gjykatën kompetente ku edhe u është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë.