Site icon PrishtinaPress

Polici rreh gruan, arrestohet dhe suspendohet nga puna

Një zyrtar i Policisë është përfshirë në një rast të dhunës në familje në Fushë Kosovë.

Sipas Policisë i njëjti ka rrahur gruan e tij duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima është dërguar në strehimore ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Për këtë rast ka reaguar edhe Inspektorati Policor i cili është njoftuar  nga Policia se një polic është përfshirë në rastin e dhunës në familje.

“Hetuesit e IPK-së respektivisht Departamentit të Hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes duke kontaktuar me viktimën e këtij rasti.  Pas verifikimit të këtyre informacioneve nga hetuesit e IPK-së të njëjtit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent kurse viktima e këtij rasti është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore në koordinim edhe me prokurorin e çështjes, dje  me dyshimin se zyrtari policor i përfshirë në këtë rast ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për  zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart.

Exit mobile version