Site icon PrishtinaPress

Polici ra në humnerë derisa kontrollonte për bimë kanabisi, nxirret me helikopterin e KFOR-it

Policia e Shqipërisë ka falënderuar KFOR-in, pasi falë profesionalizmit të ekipit të helikopterit të KFOR-it dhe ndihmës së një grupi special të RENEA-s, u bë e mundur transportimi i oficerit të Policisë nga zona e rrezikshme ku kishte rënë.

Sipas njoftimit, Oficeri i Policisë u rrëzua gjatë kontrollit në terren së bashku me grupin e kontrollit, në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Me interesimin e drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, u bë e mundur që një helikopter i KFOR-it në Kosovë, të nisej me urgjencë nga Kosova në drejtim të Dukagjinit.

Pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë për ta tërhequr oficerin e plagosur, në helikopter, falë profesionalizmit të ekipit të helikopterit të KFOR-it dhe ndihmës së një grupi special të RENEA-s, u bë e mundur transportimi i oficerit të Policisë nga zona e rrezikshme ku kishte rënë, drejt Spitalit Ushtarak Tiranë. Oficeri i Policisë i është nënshtruar menjëherë një trajtimi të specializuar mjekësor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar nga ekipi i Spitalit Ushtarak Tiranë, ofrimin e të gjitha shërbimeve të specializuara, dhe në rast nevoje transportimin e oficerit të Policisë për kurim, jashtë shtetit.

Policia e Shtetit falënderon KFOR Kosovën për ndihmën e çmuar dhe gatishmërinë e shprehur duke dërguar menjëherë helikopterin, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i cili iu përgjigj gjithashtu menjëherë kërkesës për të vendosur në dispozicion të forcave të Policisë, një helikopter, por për shkak të terrenit mjaft të vështirë nuk mund të bëhej e mundur tërheqja e oficerit të plagosur nga vendi deri ku kishin mundur ta nxirrnin me krahë shërbimet e Policisë dhe të ekipit të urgjencës mjekësore”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit falënderon edhe aktorët e tjerë si Ambasada italiane në Tiranë dhe kolegët italianë që shprehën gatishmërinë, për të na ndihmuar për situatën e krijuar, thuhet në njoftim.

Exit mobile version