Luljeta Sharani, nga komuna e Gjakovës, i ka humbur gjashtë anëtarë të familjes së saj, më 10 maj të vitit 1999.
Në mesin e tyre, ajo ka humbur burrin e saj dhe dy djemtë. Ajo e kujton si sot, maltretimi që u është bërë asaj dhe familjes. Gjithçka kishte filluar më 9 maj të vitit 1999, një ditë para zhdukjes së familjarëve të saj, për të mos i parë më kurrë të gjallë.
Në këtë datë, ushtria serbe i kishte hyrë familjes Sharani në oborr, duke i maltretuar fizikisht e psiqikisht.
“Më 9 maj filloji tragjedia në familjen Sharani, kur hyn në orën 17 ushtria, na maltretuan në forma të ndryshme. Na urdhënuan të dalim jashtë në rrugë, prej vjehrrës që ishte më e vjetra, deri te visari më i riu që ishte. Dy kunetët dhe dy fëmijët i ndalën te dera, neve na shtrin për toke dhe duart për mure, i kishin automatet te ngritura sikurse të gjironin filma”, tha ajo.
Ajo rrëfeu, se përpos dhunës e torturave, ushtarët serbë edhe i plaqkisnin shqiptarët. Për këta arsye, ajo ka treguar që burrat mbanin të holla në gjep, në mënyrë që nëse ndaleshin nga serbët, t’ua jepnin paratë e të liroheshin nga ta.
Sharani, tregoi se dy djemtë e saj ishin në gjendje të bashkoheshin me UÇK-në, por për shkak të mungesës së armëve, nuk shkuan të luftonin me ta.
“Bërtisnin, na plaçkitën. Burri dhe djemtë kishin të holla në gjepa, arsyeja pse i mbanin të hollat, sepse kishin dëgjuar se nëse i japin të holla, sepse ishin të etshëm për të hollat, me i depërtu apo me u largu. Djemtë kanë qenë kategorik të flaktë, të mos largohen, donin t’i bashkoheshin UÇK-së, por armë nuk kish të mjaftueshme dhe mbetëm deri më 9 maj në shtëpi”, u shpreh Sharani.
Ajo e rrëfeu një moment, kur i kishte parë dy djemtë e saj të shtritë në tokë. Me t’i parë në atë gjendje, nëna e tyre ishte gjuajtur mbi ta.
“Kur na qitën në rrugë, kur i pashë valonin dhe visarin shtritë përtokë, u gjuajta në mes të tyre”, tha ajo me gjysmë zëri.