Amelia Rosselli (1930 –1996), poete, organiste dhe etnomuzikologe italiane.
Amelia Rosselli u lind në Paris, bijë e antifashistit të mërguar Carlo Rosselli, teoricien i Socializmit liberal dhe e Marion Catherine Cave, e lindur në Angli dhe aktiviste e Partisë laburiste britanike, motër e muzikologut John Rosselli. Më 1940, pas vrasjes së babait dhe xhaxhait, të urdhëruar nga Mussolini dhe Ciano, nga ana e milicive fashiste (cagoulards) në Francë (1937), mërgoi me familjen, një eksperiencë që do ta determinojë karakterin apolid dhe në të njëjtën kohë krejt të veçantë të veprës së saj. U transferua së pari në Zvicër, pastaj në ShBA.
Pas kthimit në Itali, më 1948 nisi të punonte si përkthyese nga anglishtja për disa shtëpi botuese dhe për RAI-n. Frekuentoi rrethet letrare dhe artistët që më pas do ta formonin Grupin 63.
Në vitet gjashtëdhjetë u regjistrua në Partinë komuniste italiane dhe nisi t’i botonte tekstet e para, kryesisht në revista letrare, duke e tërhequr vëmendjen e Andrea Zanzotto-s, Giovani Raboni-t dhe Pasolini-t.
Konsiderohet shkrimtare unike për shumëgjuhësinë dhe përpjekjen për ta shkrirë përdorimin e gjuhës me universalizmin e muzikës.
Kreu vetëvrasje më 11 shkurt 1996.
Vepra: “Variazioni belliche”, Milano, Garzanti, 1964; “Serie ospedaliera”, Milano, Il Saggiatore, 1969; “Antologia poetica”, nën kujdesin e Giacinto Spagnoletti, me një ese të Giovanni Giudici-t, Milano, Garzanti, 1987; “Sonno-Sleep (1953-1966)”, botim dy gjuhësh, Roma, Rossi & Spera, 1989; “Sleep”, botim dy gjuhësh, Garzanti, 1992; “Diario ottuso. 1954-1968”, Roma, IBN, 1990; “Una scrittura plurale. Saggi e interventi critici”, Novara, Interlinea, 2004
[NËSE NDONJËHERË NË MENDJEN TIME DËSHPËRIMI]
Nëse ndonjëherë në mendjen time dëshpërimi
pati vend: nëse ndonjëherë në zemrën time dyshimi
gjeti vend: nëse ndonjëherë në këmbët e mia forca
u përplas: nëse ndonjëherë në mendjen time të leckërosur
u kërrus uragani.
Nëse ndonjëherë në këmbën time pati vend dhuna
ishte për të shpëtuar nga të tjerë që e përgatita
birucën: nëse ndonjëherë pati dhunë
ishte për t’u përgatitur për të tjerët.
Nëse ndonjëherë në mendjen time lindi dëshira
që të jem unë vetë viktimë dhe xhelat
nëse ndonjëherë në zemrën time nënshtrohej poezia
e derës së hapur për shpresën.
***
Nga Donjeta Abazi
Nëse. Nëse të gjitha ndodhitë, ndjesitë, veprimet ndodhin, na përgatisin ndaj të tjerëve na e hapin derën drejt poezisë dhe shpresës.
A ndodhin të dyja njëkohësisht?
Edhe po. Nëse në këmbët tona pati vend dhuna, u përgatitem ndaj të tjerëve, u revoltuam ndaj të tjerëve, u dhunuam nga të tjerët, nxorëm poezinë nga të tjerët e ne poezi mori formë shpresa.
Rosselli na vendos para disa vargjeve poetike të vërteta dhe të domosdoshme për të krijuar diçka të tillë poetike.
«nëse ndonjëherë në këmbët e mia forca / u përplas: nëse ndonjëherë në mendjen time të leckërosur / u kërrus uragani», këto vargje rrëfejnë, nëse është për poezinë jo për të ngritur dyshim, për t’i dhënë sepsen dyshimeve nëse ka ndodhur ose jo.
«Nëse ndonjëherë në mendjen time lindi dëshira / që të jem unë vetë viktimë dhe xhelat».
Mandej, të keqen e të mirën i ndan një vijëz e hollë, tepër e hollë. A vendosim të bëhemi viktimë ose xhelat kjo pastaj është pjesë e vullnetit të individit. Indikatori edhe mund të jetë tjetri, vendimi mbetet me një fajtor. Jemi vetë ne.
Poezia e Amelia Rossellit përçon një indiferencë, një ftohtësi brenda zhanrit të letërsisë që njihet botërisht si më e ndjeshmja. Krejt në fund është një shpresë mes katrahurës së të jetuarit, të bajatshmen, kontradiktoren, të dhunshmen, jetën. Është ajo pika e shpresës për ta vendosur dhunën në poezi.