Site icon PrishtinaPress

“Po vijnë në punë me pizhame e miniqa”, drejtori i Bordit thotë se u ka shkruar punonjësve të RTK-së, shpreh keqardhje

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka dalë me një sqarim pas informatave që rrodhën në media mbi diskutimet që u zhvilluan në mbledhjen së mëkurës së bordit se ka punëtorë që shkojnë në RTK “me pizhame e miniqa”.

Reagimi i tij vjen përgjigje ndaj Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, e cila ka kërkuar që ta lirojë postin e tij.

Boletini tha se ajo deklaratë nuk ishte thënë nga ai, por ka folur për një perceptim dhe diskutim që flitet brenda RTK-së se ka punëtorë që nuk vijnë në punë fare dhe në mëngjes apo në fillim të orarit të punës e bëjnë hyrjen (check-in), kryejnë aktivitete tjera jashtë detyrave të RTK-së dhe kthehen në fund të orarit ose në mbrëmje për të bërë check out.

“Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi por prezantim i një perceptimi. Pra, kam thënë se perceptimi negativ ka shkuar deri në atë masë sa që është krijuar edhe kjo përshtypje dhe njëjta më thuhet edhe mua në ambientet e punës. Pra kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje pa qëndruar në punë, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Kjo çështje është e rregulluar me rregullore të brendshme. E çfarëdo kahje tjetër e deklaratave të mia është një manipulim i qëllimshëm”, ka thënë ai në sqarim.

Ai thotë se për këtë u ka shprehur keqardhje punëtorëve të RTK-së që kanë mundur të ndihen keq.

“Sot përmes një sqarimi lidhur me vendimin dhe këtë çështje, u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin në punë pa qenë në ambiente të punës”.

Reagimi i plotë:

Raportimi i aktiviteteve të punës nga punonjësit

Në mbledhjen e së mërkurës Bordi i RTK-së ka marrë një vendim lidhur me raportimin e aktiviteteve të punës nga punonjësit. Qëllimi i këtij vendimi është që të rritet llogaridhënia dhe përgjegjshmëria në punë. Kjo edhe për faktin se RTK aktualisht ka mbi 770 punonjës. E kam parasysh se mund të mos pritet mirë nga të gjithë.

Raportimi mujor për aktivitetet ditore të punës ka për qëllim vlerësimin e mundit të secilit punonjës. Në asnjë mënyrë nuk do të ngarkohet puna e asnjërit, e as nuk është ideja që të shikohet puna me “llupë”. Do të krijohet një platformë e thjeshtë dhe praktike. Pra, nuk kërkohet punë shtesë, aktivitet tjetër, por një përshkrim i thjeshtë i aktiviteteve të punës, e cila mund të organizohet nga secili se si e bënë.

Ndër të tjera, kjo ndihmon që kur të bëhet vlerësimi i fundvitit nga udhëheqësit, secili punonjës të vlerësohet në mënyrë meritore dhe të bazuar. Në këtë mënyrë evitohen edhe pakënaqësitë eventuale se jo të gjithë po punojnë në mënyrë proporcionale. Ky perceptim është i pranishëm në RTK.

Nuk është e drejtë që dikush që ka punuar vazhdimisht të mund të vlerësohet me notë të njëjtë apo më të ulët me dikë që nuk ka punuar sa duhet, apo nuk ka punuar për një periudhë të caktuar. Kjo mund të jetë demotivuese.

Në RTK ka shumë punonjës të zellshëm që në baza ditore kryejnë me përkushtim të madh punën, por në anën tjetër, ka aludime se ka punonjës që nuk janë të përkushtuar sa duhet, nuk punojnë sa duhet, i “ikin” punës dhe marrin paga mbi supet e atyre që punojnë, që i kryejnë punët e përditshme. Kushdo që i shmanget punës, i bie që e ngarkon shumëfish punën e kolegëve të tjerë, e në anën tjetër të paguhet sa ata, në mos më shumë. Kjo është e padrejtë.

RTK prodhon më së shumti program dhe informacione në krahasim me mediat tjera në vend. Pjesa më e madhe e punonjësve të RTK-së e kryejnë punën me përkushtim të madh, por nëse ka të tillë që tentojnë t’i “ikin” punës, siç flitet, kjo është e papranueshme dhe e kemi obligim ligjor që të angazhohemi që mos të ndodh. Nëse dikush merr rrogë pa punuar, por vetëm duke bërë hyrje-dalje, i bie që po abuzohet me buxhetin e RTK-së, përkatësisht taksat e qytetarëve. Prandaj raporti i punës e krijon një mundësi për të dhënë një pasqyrë të qartë për këtë gjë dhe do të jetë mekanizëm që do t’i eliminojë perceptimet që mund të jenë krijuar lidhur me këtë çështje dhe nuk do të ketë asnjë lloj implikimi apo ngarkese.

Prandaj nuk ka vend aspak për shqetësim. Të shqetësuar mund të jenë vetëm ata – nëse ka të tillë- që për javë të tëra nuk punojnë gjë, ose kanë edhe angazhime tjera paralele gjatë orarit të punës. Gjithnjë nëse ka të tillë.

Pas marrjes së këtij vendimi është bërë një propagandë manipuluese lidhur me një diskutim që është bërë në mbledhjen e bordit. Derisa kemi diskutuar lidhur me raportimin e punës, kam diskutuar edhe lidhur me perceptimet që janë krijuar brenda dhe jashtë institucionit tonë, e që i dëgjoj shpesh në ambientet e punës, se disa punonjës vijnë sa për të bërë hyrje-daljet dhe nuk rrinë në punë.

Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi por prezantim i një perceptimi. Pra, kam thënë se perceptimi negativ ka shkuar deri në atë masë sa që është krijuar edhe kjo përshtypje dhe njëjta më thuhet edhe mua në ambientet e punës. Pra kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje pa qëndruar në punë, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Kjo çështje është e rregulluar me rregullore të brendshme. E çfarëdo kahje tjetër e deklaratave të mia është një manipulim i qëllimshëm.

Për të qenë korrekt, ajo çka kam thënë në një moment në diskutim e sipër gjatë debatit interaktiv është se “unë marr informacione (d.m.th që të tjerët po më thonë) se punëtorët vijnë me pizhame, ‘miniqa’, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”, pra kam cituar diçka që më është thënë, dhe e kam theksuar se është i papranueshëm si informacion dhe perceptim që po më thuhet në ambiente të punës, që disa punonjës pas aktiviteteve të ndryshme vijnë dhe e bëjnë vetëm daljen duke u evidentuar në punë, pa punuar fare. Sigurisht që nuk ka qenë mënyra më e mirë për ta përshkruar dukurinë e pretenduar, por gjatë debatit e kam bërë përshkrimin eksplicitë siç më është thënë, pa e përpunuar. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë për të përshkruar diçka tjetër, apo për të fyer dike. Sot përmes një sqarimi lidhur me vendimin dhe këtë çështje, u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin në punë pa qenë në ambiente të punës.

RTK ka bërë një progres të dukshëm në menaxhim dhe kontroll të financave dhe do të vazhdohet të punohet në këtë drejtim edhe më fuqishëm.

Exit mobile version