Reshjet e borës që ranë ditë më parë në vendin tonë, kanë bërë që gjendja në disa rrugë në kryeqytet të jetë e keqe.
Trotuaret në shumë pjesë të kryeqytetit kanë mbetur pa pastruar, dhe si rrjedhojë e krijimit të akullit është vështirësuar edhe qarkullimi i qytetarëve.
Ilir Kërçeli këshilltari politik i kryekuvendarit Glauk Konjufca ka ironizuar me gjendjen e krijuar, duke fajësuar kështu Komunën e Prishtinës për mosmirëmbajtjen e trotuareve.
“Jemi duke e provuar një test, sa po munden qytetarët me ec në trotuare me akull”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ditë më parë bëri thirrje për kujdes në komunikacion, pas vështirësive të krijuara nga reshjet e borës.
“Ju lutem të keni kujdes dhe të ndiqni rregullat gjatë vozitjes në këtë periudhë të vështirë me borë, duke pasur parasysh se po bie vazhdimisht. Edhe pse Kryeqyteti po punon pa ndërprerë për të pastruar rrugët është e rëndësishme që të kujdesemi për sigurinë tonë dhe të tjerëve”, tha Rama.