Site icon PrishtinaPress

Po shqyrtohen masat ndëshkuese, deri kur do të presë BE-ja lëvizje për shtensionimin e situatës?

Bashkimi Europian do të marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk shtensionohet situata në veri. Në Bruksel thanë se duan zgjedhje të reja, por nuk treguan se sa mund të presin që kjo të ndodhë. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për këtë çështje, kryediplomati europian, Josep Borrell thotë se shtetet anëtare janë “të gatshme të marrin masa”, të cilat tashmë kanë nisur të shqyrtohen. Ngjarjet e këtyre ditëve duket se do të përcaktojnë se çfarë do të vendosë BE-ja.

Nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet lëvizja e radhës për shtensionimin e situatës në veri, pasi Serbia të hënën i liroi tre policët patrollues kufitarë të cilët i kishte rrëmbyer para dy javësh. Kurti vazhdon të mos i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve për hapat që duhet t’i marrë për shtensionimin dhe është kundërpërgjigjur me një plan të vetin, të cilin të huajt ia kanë hedhur poshtë.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka raportuar të hënën para ministrave të jashtëm të vendeve të bllokut europian dhe pas diskutimit të gjatë me ta, tha se sot Komisioni për Politikë dhe Siguri ka nisur t’i shqyrtojë masat kundër Kosovës dhe Serbisë.

“Nga nesër, Komisioni për Politikë dhe Siguri do të fillojë të shqyrtojë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren në rast se, në fund, nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, tha Borrell të hënën në një konferencë për media, ku i përshkroi masat si “politike dhe ekonomike”.

Ai tha se vendet anëtare të BE-së kanë nënvizuar “shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës” dhe se ato duan zgjedhje të reja atje.

“Nga nesër, Komisioni për Politikë dhe Siguri do të fillojë të shqyrtojë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren në rast se, në fund, nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, tha Borrell të hënën në një konferencë për media, ku i përshkroi masat si “politike dhe ekonomike”.

Bashkimi Europian nuk iu përgjigj interesimit të Gazetës Express të martën se sa do të presë që të shpallen dhe të mbahen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

Siç theksoi kryediplomati europian të hënën, “shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masa nëse nuk shihet përparim”.

Ngjarjet e këtyre ditëve duket se do të përcaktojnë nëse BE-ja do të marrë masa apo jo.

“Është e qartë se masat do të jenë, siç thashë, politike dhe financiare, por duhet të jenë proporcionale dhe të kthyeshme. Dhe kjo varet [nga çfarë] vendosin shtetet anëtare. [Janë] Shtetet anëtare që do t’i [marrin ato] në varësi të ngjarjeve. Nëse arrijmë t’i shpallim zgjedhjet dhe bëhen këto zgjedhje dhe popullata merr pjesë dhe ne mund t’i legjitimojmë kryetarët e komunave, nuk do të kemi nevojë të marrim masa”, tha Borrell.

Ai nuk mundi të përgjigjet kur iu kërkua të ishte më i saktë se për çfarë masash bëhet fjalë. Tha se këtë “duhet ta bëjë Komisioni për Politikë dhe Sigurisë”, që duket se sot e ka nisur punën për këtë.

Bashkimi Europian i kërkon Kurtit zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit, është kërkesa e BE-së për Kurtin. Këtë plan përmes të cilit do të tërhiqeshin kryetarët dhe policët nga objektet komunale e mbështet edhe SHBA-ja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken të hënën i ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurtit i ka thënë se plani trepikësh i BE-së është rruga që tash duhet ta ndjekë ai.

“Sot kam folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti për të kërkuar shtensionimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, shkroi Blinken në Twitter.

Vuçiqit ai tha se ia ka theksuar “rëndësinë e depërshkallëzimit të menjëhershëm”.

“Mirëpresim lirimin e policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim planin e duhur trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, shkroi Blinken për bisedën me presidentin serb.

Exit mobile version