Site icon PrishtinaPress

Po pret afatin e ankesave, Presidentja vendosë për Kryeprokurorin në fund të muajit

Çështja e (mos)emërimit të Kryeprokurorit të ri pritet të marrë fund së shpejti.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është në pritje të përfundimit të afatit të ankesave, në mënyrë që ta dekretojë Kryeprokurorin. E gjithë kjo pritje, sipas Presidencës, po bëhet me qëllim që të mos ketë pengesa gjyqësore në këtë proces, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Këshilltari i Presidentes Osmani, Blerim Vela, deklaroi se afati i ankesave përfundon në fund të muajit prill, kur edhe do hapet rruga për ta dekretuar Kryeprokurorin.

“Ne i kemi katër muaj kohë. Pra afati është deri në fund të muajit prill. Nëse nuk gaboj deri në 27 prill kundërkandidatët e zotit Isufaj kanë të drejtë ankese, por nuk duam të paragjykojmë nëse ata do të ankohen. Qëndrimi i Presidentes ka qenë publik dhe ne kemi njoftuar Këshillin Prokurorial. Ne nuk kemi dashur të interferojmë në këto çështje derisa ka qenë në Kushtetuese e pastaj në Supreme”, deklaroi Vela në një intervistë për Telegrafin.

“Sapo të përfundojë ky proces Presidentja në një afat shumë të shpejt do të dalë në publik me vendimin e saj”, tha tutje.

Shefi i kabinetit të Presidencës thotë se Këshilli prokurorial ka përfunduar punën e tij në momentin e nominimit së Isufajt për Kryeprokuror.

“Tashmë kemi një tendencë jashtë çdo norme juridike dhe kushtetuese kur i dërgojnë letër Presidentes për ta dekretuar Kryeprokurorin”.

Sipas Këshillit Prokurorial, presidentja duhet ta dekretoj Isufajn në këtë pozitë, pasi sipas tyre, janë shtjerrur të gjitha rrugët ligjore të cilat kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

Mirëpo, Presidenca e ka konsideruar pa asnjë bazë ligjore këtë kërkesë të KPK-së.

Nga Presidenca, këtë kërkesë të Këshillit e kanë parë si ultimatum. Si e tillë, thuhet në reagim, ajo nuk i kontribuon forcimit të integritetit të sistemit prokurorial në Kosovë.

Kujtojmë se tashmë gati një vit, Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit. Që nga prilli i 2022-ës, Presidentja Osmani nuk ka vendosur lidhur me kandidatin për kryeprokuror, i propozuar nga Këshilli Prokurorial./PrishtinaPress/

Exit mobile version