Site icon PrishtinaPress

Po ose jo, Veliu: Epilogu i bisedimeve me LVV-në duhet të mbyllet sot

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se ka gjasa që sot të ketë takim në mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.

Veliu më tej theksoi se çështja e bisedimeve me LVV-në duhet të mbyllet sot.

“Gjasat janë që të ketë takim, për tjerat nuk e di… Unë mendoj se ky proces duhet të mbyllet sepse çfarëdo epilogu të ketë qoftë pozitiv apo tjetër, duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin. VV duhet të ketë kohë që ti shqyrtojë pozicionet e saj dhe të bëjë përpjekje tjera. Sipas mendimit tim sot duhet të ndodhë kjo”, ka thënë Veliu, shkruan Telegrafi.

Ai më tej shtoi se për çështjen e ministrive janë marrë vesh, dhe se janë duke pritur që LVV të deklarohet për ofertën e fundit që LDK i ka bërë.

“Për punën e ministrive ne jemi marrë vesh se do ti kemi dy ministri. Ne po presim nga VV-ja të deklarohet për ofertën tonë që është me kryeparlamtenarin dhe pesë ministri si dhe zotimin për presidentin. Kjo është oferta që qëndron, është qëndrim i organeve të LDK-së dhe nuk besoj që dikush e kundërshton këtë”, u shpreh Veliu.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa para fillimit të mbledhjes së Kryesisë, ka paralajmëruar takim me liderin e LVV-së, Albin Kurti, mirëpo tha se për orën ende nuk janë marrë vesh. /Telegrafi/

Exit mobile version