Një person i cili ishte në kërkim me urdhër-arrest ndërkombëtar, është arrestuar të martën mbrëma në Pejë.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
“Policia e Kosovës, konkretisht ILECU-FAST Kosova, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar me shtetet partnere, sot më 12.09.2023, ka arrestuar një person. Njësia FAST-Kosova, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Pejë, në koordinim edhe me organe tjera të sigurisë, kanë arritur të lokalizojnë vendndodhjen e më pas edhe ta arrestojnë personin e dyshuar”, thuhet në njoftim.
Personi i kërkuar, i cili kërkohej nga INTERPOL-i në llogari të organeve shtetërore turke, dyshohet se është i përfshirë në trafikim ndërkombëtar me lëndë narkotike.
Lidhur me rastin do të ndërmerren masat sipas procedurave në raste të tilla.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive të kundërligjshme në vend përfshirë edhe forcimin e bashkëpunimit policor në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet më tej në njoftim.