Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi i ka reaguar Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas deklaratave të këtij të fundit në lidhje me ikjen e qytetarëve nga vendi.
Gjoshi ka shkruar se ai po i sulmon mediat me qëllim të frikësimit të tyre.
“Janë mësuar këta të padijshëm që s’dijnë të bëjnë asnjë punë në të mirë të qytetarëve, që të manipulojnë me të dhëna e të shpifin për çdokënd që mendon ndryshe e prezanton gjendjen e vërtetë në terren.”, ka shkruar Gjoshi.
Tutje, ai u ka bërë thirrje ministrit e kryeministrit të shkojnë në aeroport e “mos të gënjejnë me statistika”.
“Kryeministër dhe Ministër, shkoni në aeroport e mos gënjeni me statistika dhe mësojeni të vërtetën se çfarë po ndodhë me demografinë e shtetit tonë. Kryeministër dhe Ministër, shkoni në aeroport dhe jepni fund ëndrrave dhe gënjeshtrave. Përballuni me realitetin dhe ofroni zgjidhje të problemeve.”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.