Site icon PrishtinaPress

Plas sherri pas rritjes së pagave për prokuror e gjyqtar, tani kërkon edhe stafi administrativ

Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës e ka vlerësuar si të gabueshëm rritjen e pagave vetëm për prokuror e gjykatës. Kryetari i kësaj sindikate, Asllan Rusinoci për Indeksonline ka thënë se ndonëse ata kanë përkrahur në fillim rritjen e pagave për prokuror e gjyqtar, ata janë shprehur kundër diskriminimit që iu është bërë stafit administrativ.

Tani kur ky vendim është pezulluar Rusinovci thotë se ky është vendim i qeverisë që duhet respektuar.

“Ka qenë vendim i qeverisë që ne në fillim as nuk e kemi përkrah kur u bë, mirëpo neve si sindikatë e kem përkrah rritjen e pagave gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo, na ne fillim kemi kërkuar që ajo rritje që është bërë në mënyrë selektive, është e gabuar dhe kemi kërkuar edhe me shkrim, që rritja të bëhet edhe për stafin administrativ. Ka pakënaqësi të punëtorët pasi është një diskrepancë e madhe, dallim i madh i pagave. Domethënë dikund 3 mijë e diçka prokurori e gjyqtari e një punëtor me mbetur më tre qind euro, janë shpreh pakënaqësi të mëdha” është shprehur Rusinovci.

Ai ka shtuar se vendimi për pagat e prokurorëve e gjyqtarëve ka qenë i gabuar, prandaj edhe është anuluar.

“Ky është vendim i qeverisë. Është vlerësuar si vendim i gabueshëm dhe është anuluar rritja. Rritja u dashtë me qenë për të gjithë njësoj, dhe jo vetëm për gjyqtar e një kategori të caktuar të njerëzve. Nëse rritja është bërë 4 për qind është dashtë njëjtë për të gjithë 4 për qind. Jo për dikën mbi 120 për qind e për dikën 4 për qind” ka thënë Rusinovci.

Ndërsa, hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj për Indeksonline thotë se ngritja e pagave për gjykatës e prokuror ishte një vendim i kundërligjshëm. Sipas tij, prokurorët e gjykatësit duhet të kenë paga dinjitoze, por duhet të jetë e rregulluar me ligj e jo përmes rrugëve jo ligjore.

“Ngritja e pagave për gjykatës dhe prokuror ishte i ndërlidhur me një vendim të kundërligjshëm të miratuar nga Qeveria e Kosovës, i cili vendim tanimë edhe sipas Agjencisë Kundër Korrupsion është konsideruar se hyn në kuadër të veprës penale të konfliktit të interesit. IKD në reagimin e saj kishte kërkuar nga Qeveria që të anuloj një vendim të tillë si dhe kishte kërkuar edhe nga AKK dhe Prokurori i Shtetit të ndërmarrin masa ligjore në hetimin e këtij vendimi.IKD ne reagimin e saj nder të tjera ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për të ofruar siguri financiare për gjykatës dhe prokuror, por që kjo duhet të behet për ligjit dhe jo vendimeve të kundërligjshme të Qeverisë” ka thënë Miftaraj.

Pas vendimit të pezullimit të rritjes së pagave nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, kryeministri Haradinaj e ka miratuar pezullimin deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Haradinaj pezullimin e pagave e paraqiti si shqetësim që me së shumti do të godas gjyqtarët e prokurorët.

Exit mobile version