Site icon PrishtinaPress

Plani i BE’së për deeskalim, çfarë u hodhi në tryezë Borrell Kurtit e Vuçiqit

Shefi i diplomacisë së BE’së, Josep Borrell, mbrëmë pas takimeve të ndara në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka prezantuar një ‘plan’ ose pritje të BE’së për shtensionimin e situatës në Veri.

Borrell nuk ka mundur të japë ndonjë njoftim për dakordim mes palëve -takimi është fokusuar në atë “si të qetësohet situata në terren, si të qetësohet me hapa shumë konkretë, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehemi në dialog dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve të dialogut, në veçanti Marrëveshja e fundit për Rrugën drejt Normalizimit”.

Borrell ka thënë se pas “katër orësh takime, të dy liderët e kuptojnë ashpërsinë e situatës, por padyshim që janë në situata të ndryshme, qasje të ndryshme, interpretime të ndryshme të shkaqeve dhe, gjithashtu, efekteve, pasojave dhe zgjidhjeve”, ka theksuar ai.

Tutje Borrell e ka prezantuar pritshmëritë e BE’-së ndaj palëve.

Për Kosovën, që menjëherë të ndërpriten operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që katër kryetarët e komunave të kryejnë përkohësisht detyrën e tyre në objektet jashtë objekteve komunale.

Për Serbinë, të sigurohet që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesa e komunës njëkohësisht me tërheqjen e policisë së Kosovës.

Të dyjave, që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme [lokale] në të katër komunat me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Këtu është thelbi i problemit dhe thelbi i zgjidhjes; zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje të reja, sa më shpejt, me pjesëmarrje të plotë.

Dhe më pas, pasi situata në terren të normalizohet, të vazhdojmë të punojmë për normalizimin përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Exit mobile version