Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se iniciativa e tij për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës ka krijuar dy fakte, të cilat do të jenë përcaktuese për një proces gjithëpërfshirës të krijimit të ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese, që ende mbetet opsion i mundur.
Presidenti Thaçi shkruan se rikthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës është dëshmi e gatishmërisë së tyre për të qenë pjesë e këtij procesi.
“Nga ana tjetër, partnerët tanë strategjikë janë zotuar se do japin ndihmën e tyre për ndryshimet kushtetuese që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. Ka pajtueshmëri të plotë me SHBA-në dhe anëtarët e NATO-s që Kosova të ketë ushtri dhe askush nuk mund të vendos veto kundër saj, si dhe që ky proces duhet të ndodh sa më shpejt. Transformimi i FSK-së është i pandalshëm”, shkruan Thaçi.
Ndryshe, ideja për krijimin e ushtrisë përmes Projektligjit për FSK-në ishte në tavolinë deri sa në Kosovë erdhi zëvendësndihmës-sekretari për Evropë dhe Euro-Azi në Departamentin e Shtetit Amerikan, Hoyt Lee.
Lee takoi Thaçin e Veselin, por edhe shumicën e liderëve politikë në Kosovë. Pas këtij takimi, presidenti Thaçi u tërhoq, duke thënë se do të bëhet edhe përpjekja e fundit për të bindur Listën Serbe.
Pas kësaj edhe ambasadori amerikan doli hapur me premtimin se do të përpiqet që ta bind Listën Serbe për krijimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese.
Aktualisht, është një situatë e re. Më askush nuk po e konteston krijimin e ushtrisë së Kosovës, por si duket tash janë dy rrugë përpara.
Krijimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, si rrugë e parë. Ndërsa, në rast të dështimit të saj, krijimin e ushtrisë përmes ndryshimeve ligjore, si rrugë e dytë.
Megjithatë, ajo që mbetet e paqartë është çfarë nëse dështojnë sërish këto përpjekje të ndërkombëtarëve. Derisa nuk e thonë publikisht, dilemë mbetet ende nëse do të pajtohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s, që Kosova ta krijojë ushtrinë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në.