-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Planet për vrasjen e Martyt, BIA u drejtohet zviceranëve, në Beograd i fajësojnë britanikët

Agjencia serbe e Inteligjencës (BIA) sot ia ka dërguar një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), pasi televizioni publik zviceran raportoi të premten se ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.

BIA i quan “pretendime dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së kujtdo” raportimet e mediave për këtë çështje.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për destabilizimin, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në letrën e dërguar nga BIA, për të cilën ka shkruar agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

Ky medium po ashtu ka raportuar edhe për një deklaratë të avokatit Goran Petronijeviq, i cili ka thënë se “dorëshkrimi përmes të cilit u kërcënua Marty, është vepër e britanikëve ose edhe e shqiptarëve”.

“Ky është dorëshkrim i MI-6 (Inteligjenca britanike), por nuk e përjashtoj mundësinë që është edhe i shërbimit inteligjent shqiptar”, citohet të ketë thënë avokati nga Beogradi.

Që nga dhjetori 2020, Marty është në mbrojtje të rreptë policore.

Në një intervistë Marty ka thënë se më 18 dhjetor 2020 ka marrë një telefonatë nga policia kur i është thënë se i është vënë jeta në rrezik dhe se do të vendoset në mbrojtje të lartë policore.

Në atë intervistë, Marty thotë se kërcënimi me vdekje “duket se vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe”, të cilat, siç thotë ai, kanë kërkuar nga atentatorët me pagesë nga nëntoka që ta likuidojnë për t’i fajësuar shqiptarët nga Kosova.

Marty është autor i një raporti për Këshillin e Europës në vitin 2010 në të cilin akuzonte UÇK-në për trafikim organesh. Në bazë të atij raporti është ngritur Gjykata Speciale, ku po akuzohen e gjykohen ish-krerët ushtarakë dhe politikë të UÇK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img