Site icon PrishtinaPress

Planet e BE’së për takim në shtator, pas takimit me Kurtin, Lajçak shkon në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet nesër me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, si dhe me kongresmenin amerikan Michael Turner.

Sipas mediave serbe, Vuçiq fillimisht do të takohet me Turner në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit në orën 10:00, ndërsa biseda me Lajcak është planifikuar për në mesditë.

Lajçak mbrëmë në Bled është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe siç ka bërë të ditur pas këtij takimi, temë kryesore e bisedës ishte përgatitja për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në shtator, me fokus në normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës evropiane të 3 qershorit.

Kurti e Lajçak dje kanë diskutuar mbi procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike. Me Lajçakun, kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Ndërsa, për takimin me Kurtin ka shkruar edhe Lajçak.

Ai tha në rrjetin social X se temë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë për dialog. I dërguari i BE-së paralajmëroi takim në Bruksle gjatë shtatorit.

“Kishim një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të Dialogut në shtator me fokus në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, ka shkruar Lajçak.

Exit mobile version