3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Plagosja në veri, policia thotë se një zyrtar policor dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri

Një zyrtar policor dyshohet se është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri në incidentin që ka ndodhur në orët e vona të së hënës në veri të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media, ku thuhet se pas hetimeve të pandërprera është arritur që të sigurohen dëshmi të tilla.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, “nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”.

Po ashtu, policia ka njoftuar se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

“Andaj me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale”, thuhet tutje në komunikatë.

Policia e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, përfundon njoftimi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img