Gazeta Sinjali ka raportua sot për një përleshje fizike e cila dyshohet se eskaloi në përdorim të armës te Gizzi Grill në Veternik, duke lënë të plagosur disa persona.
Siç raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali, tre persona janë qëlluar me armë zjarri dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një burrë dhe dy vajza.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se ngjarja është raportuar rreth orës 06:30.
“Rreth orës 06:30, është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar Ahmeti.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që u plagosën janë: Arben Osmanaj (37-vjeçar), Laura Prenaj (24-vjeçare) dhe Leonita Sadikaj (19-vjeçare).
Si nisi përleshja që i parapriu përdorimit të armës?
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Laura Prenaj dyshohet se e ka nisur sherrin në lokalin, në dalje të Veternikut.
Për momentin, siç mëson Gazeta Sinjali nga burimet e saja, 24 vjeçarja e cila po ashtu është e plagosur, është e dyshuara e vetme për rastin.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.