Një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar mbrëmë vonë me armë zjarri në Zveçan.
Si pasojë e incidentit, një polic është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Sipas PK-së, njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, kanë thënë policia.
Ndërkaq sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në veri.
Duhet theksuar se në kohën kur po bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet për kryetarë komunash, policia është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme para mediave foli për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, teksa tha se fillimisht për këtë çështje presin të marrin një vlerësim nga institucionet e sigurisë.
Por presidentja tha se marrja e këtij vendimi është çështje ditësh.
Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
Gjithçka nisi të martën, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Të mërkurën, u raportua se janë hedhur dy shok bomba, në Lagjen e Boshnjakëve, në të cilën jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.
Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në veri të Kosovës.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të entjen se nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit.
“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi, mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha Chollet.
Sveçla: Vendimi për shtimin e Policisë në veri erdhi pas incidenteve të ditëve të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar pas shtimit të pranisë së Policisë në Mitrovicën e Veriut. Ai thotë se vendimi për shtimin e policisë në atë pjesë është marrë për t’u garantuar siguri qytetarëve në ato pjesë.
Sveçla tha se këto vendime erdhën pas incidenteve të ditëve të fundit që ndodhën në veri të vendit.
“Është e vërtet që sipas planeve operacionale të Policisë së Kosovës është rrit numri i policëve të rendit në disa lokacione në Mitrovicën Veriore për shkak të incidenteve të netëve të kaluara. Ku për shkak të sulmeve të paidentifikuar ende, por të dyshuar është prish rendi dhe qetësia atje. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t;u garantohen qëndrim të sigurt në shtëpitë e tyre është marrë vendim që të shtohet prezenca e Policisë. Policia bën vlerësimet e sigurisë dhe në bazë të këtyre vlerësimeve e ka parë të arsyeshme që të shtohet numri i policëve të rendit që të ofrojnë siguri për të gjithë banorët aty. Shtimi I prezencës pa qëllime të tjera përveç ofrimit të sigurisë për banorët e lagjes”.
Ai tha se këto incidente nuk kanë qenë spontane, por kanë qenë të organizuara e drejtuar nga njerëz profesionist, e të udhëhequra nga qeveria e Beogradit.
Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela, ka thënë se Serbia po e kërcënon Kosovën, referuar deklaratës së fundit të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në deklaratën e tij, Petkoviq tha se Serbia po shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave policore dhe ushtarake në Kosovë, e që sipas Velës, ky paraqet kërcënim të hapur nga Serbia.
“Regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të saj ilegale në Kosovë, në kërcënimin e hapur për të përdorur forcat policore dhe ushtarake për të kryer agresion kundër Kosovës. Sipas parimeve të Rusisë, ky është një kërcënim flagrant për ta rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, shkroi Vela në Twitter, transmeton reporteri.
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.
Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.
“Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 500 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në këtë konferencë.
Petkoviq ka thënë se policët kosovarë kanë bllokuar të gjithë veriun e Kosovës, ndonëse nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani dhe qytetarët kanë qenë të lirë të filmojnë dhe të përcjellin lëvizjet e policëve.
Sipas Petkoviq, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
“Po e përsëris, veçanërisht për ata në Perëndim, që policia shqiptare nga jugu ka pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë ai në këtë konferencë.