Nga rasti i së premtes ku dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur në fshatin Gotovush të Shtërpcës, nga të shtënat me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu ka kërkuar që ky rast të ndriçohet.
Abdullahu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se PDK-ja i fton organet e përgjegjëse për zbardhjen e këtij rasti.
“Rasti i plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë duhet të ndriçohet sa më shpejtë dhe gjithanshëm nga organet e drejtësisë. Partia Demokratike e Kosovës fton organet e përgjegjëse për zbardhjen e këtij rasti dhe që autorin e këtij veprimi ta vënë para drejtësisë”, ka thënë ai.
Po ashtu sipas tij, është domosdoshmëri që të gjithë të kontribuojnë që situata të menaxhohet me gjakftohtësi.
“Është e domosdoshme që të gjithë pa dallime të kontribuojmë që situata e krijuar të menaxhohet me gjakftohtësi si parakusht që të mos përkeqësohet në asnjë aspekt. Të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejt”, ka shkruar ndër të tjera zëdhënësi i PDK-së, Abdullahu.