Janë pjesë e detyrës e të njëjtat, i përdorin vetëm kur e kanë të domosdoshme.
Megjithatë po gjatë detyrës, një zyrtar policor ka plagosur aksidentalisht kolegen e tij, mëngjesin e hershëm në stacionin policor të jugut.
E për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë masa ndaj tij.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”.
Lëndimet e zyrtares policore nuk paraqesin rrezik për jetën e pas pranimit në Emergjencë, trajtimin po e vazhdon në Klinikën e Ortopedisë.
“Për momentin e ka një lëndim, një predhë në këmbë. Pritet t’i nënshtrohen operimit urgjent në momentin kur do të lirohet salla e operacionit sepse kemi qenë në program të rregullt të operimeve. Në momentin kur lirohet salla, do t’i nënshtrohet operimit për largimin e predhës. Momentalisht, gjendjen e ka stabile. Nuk është në rrezik për jetën por në operime, gjithçka është e mundur”, ka thënë Xhavit Gashi.
Gashi deklaroi se predha nuk ka prekur struktura të ndjeshme të këmbës.
Rreth një javë më parë, rast i ngjashëm ndodhi në kryeqytet ku një zyrtar policor plagosi aksidentalisht nënën e tij.
Po me armë zyrtare, dy pjesëtarë të policisë gjatë këtij viti kanë vrarë dy persona, një në Istog në muajin korrik e më vonë në një rast tjetër të rëndë që ndodhi në Ferizaj./Dukagjini