Site icon PrishtinaPress

Plagoset 28-vjeçari shqiptar në Nec të Gjakovës

Një 28-vjeçar shqiptar ka raportuar se është rrahur nga dy persona e më pas është sulmuar edhe me armë zjarri. I njëjti ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjakovës.

Shermet Elezaj, zëdhënës në Policinë e Gjakovës tha për Express se në vendin e ngjarjes janë gjetur tre fishekë dhe dy gëzhoja.

Ai tha se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar të dyshuarit.

Konfirmimi i plotë i tij:

Rreth orës 12:25, jemi njoftuar se një shtetas shqiptar rreth moshës 28 vjeçare, ishte dërguar në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë me lëndime të shkaktuara nga armë zjarri.

Sipas informatave të para, viktima ka raportuar se, gjatë lëvizjes me veturë në rrugën Morinë-Gjakovë, në fshatin Nec, është ndalur nga dy persona të panjohur, të cilët fillimisht e kanë sulmuar me mjet të fortë dhe më pas me armë zjarri.

Nga personeli mjekësor, jemi njoftuar se viktima aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e nevojshme policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme hetimore, me ç’rast edhe janë gjetur tre fishekë dhe dy gëzhoja.

Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, me vendimin e të cilit është iniciuar rast vrasje e mbetur në tentativë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar të dyshuarit.

Exit mobile version