Site icon PrishtinaPress

Pjetër Shalës i vazhdohet masa e paraburgimit

Me 21 shtator, ditën që i është transferuar lënda për gjykim trupit gjykues, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, gjithashtu ka marrë vendim që Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konkludon, për qëllime të shqyrtimit periodik të paraburgimit të z. Shala, në pajtim me nenin 41(10) të Ligjit dhe rregullin 57(2) të Rregullores, se rreziqet që z. Shala do të arratiset, pengojë ecurinë e procedurave të DhSK-së, ose kryej krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që i kanë ofruar dëshmi ZPS-së dhe/ose që duhet të paraqiten para DhSK-së, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në këtë vendim.

Me anë të vendimit, ai po ashtu ka urdhëruar mbrojtjen që nëse dëshiron të parashtrojë shkresa për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Shalës, këtë ta bëj jo më larg se 25 tetori, ndërkaq përgjigja e prokurorisë duhet të bëhet jo më larg se 1 nëntori.

Vendimin e plotë të gjyqtarit paraprak e gjeni këtu:

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/Prishtinapress/

Exit mobile version