Të shpëtosh një jetë është akti më i madh që mund të bëjë një njeri.
Një veprim shumë human e ka bërë sot një pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mentor Haliti, pjesëtar i FSK-së ia ka shpëtuar jetën një gruaje të moshuar banesa e së cilës ishte kapluar nga zjarri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Rasti i djegies së banesës dhe lëndimi i qytetares është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ku tha se nga zjarri që ka kapluar ndërtesën një femër është lënduar.
“Sot rreth orës 16:00, policia është njoftuar për një zjarr në një banesë, në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë.
Bazuar në të dhënat nga vendi i ngjarjes, një person (femër), është lënduar, dhe e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor.
Zjarri është lokalizuar nga ana e zjarrfikësve, ndërkohë që policia ka nisur një hetim për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të këtij rasti”, tha Ahmeti.