Në të gjitha qendrat e votimit në katër komunat veriore, ku po mbahen zgjedhjet lokale po raportohet se ka pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votime.
Vetëm katër persona kanë votuar në orën e parë të votimeve në qendrën më të madhe në Mitrovicën e Veriut. Komisionerja e Qendrës, Abetare Ahmeti ka treguar se nga 8 mijë e 750 persona me të drejtë vote në tërësi, kanë votuar vetëm katër.
Ndërkohë në një vendvotim në Zveçan, ku ka votuar kandidatja për kryetare e kësaj komune, Sllagjana Pantoviq, nuk ka votuar deri më tash askush tjetër përpos saj.
Ngjashëm raportohet të jetë situata edhe në komunat e tjera: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe./PrishtinaPress/