Site icon PrishtinaPress

Phillips: Nëse Serbia s’është e gatshme ta njohë Kosovën, marrëveshjet e vogla janë humbje kohe

Eksperti amerikan dhe njohësi i procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, David Phillips, në një përgjigje për Zërin e Amerikës ka thënë se në rast se Serbia nuk është e gatshme të pranojë Republikën e Kosovës si shtet, atëherë është humbje kohe marrja me marrëveshje të vogla.

Phillips ka thënë se procesi është qesharak, meqë qysh në fillim të negociatave nuk janë përcaktuar synimet, e të cilat sipas amerikanit duhet të jenë njohja reciproke dhe sovraniteti për Kosovën dhe Serbinë.

“Ky proces është qesharak. Që në fillim nuk janë përcaktuar se cilat janë qëllimet e dialogut. Qëllim i qartë duhet të jetë njohja reciproke dhe sovraniteti për Kosovën dhe Serbinë. Nëse Serbia nuk është e përgatitur ta pranojë këtë, është humbje kohe të gërmojmë skajet e marrëveshjeve të vogla”, tha për Zërin e Amerikës, eksperti amerikan, David Phillips.

Eksperti amerikan ka thënë se edhe në takimin e 18 gushtit, qasja e Serbisë ndaj Kosovës do të jetë e njejtë.

“Serbia asnjëherë nuk ka shkuar në Bruksel me vullnet të mirë, apo me dëshirë për të arritur ndonjë rezultat të vërtetë. Sigurisht që dialogu është i rëndësishëm dhe palët duhet të qëndrojnë në kontakt me njëra-tjetrën. Por, nuk ka arsye të mendohet se qasja e Serbisë kësaj radhe do të jetë ndryshe nga ajo që ishte në të kaluarën kur ajo shfaqet dhe përpiqet të turpërojë dhe tallet me delegacionin e Kosovës. Më 18 gusht do të shohim një përsëritje të asaj që e kemi parë më parë”, ka thënë tutje Phillips./VOA/

Exit mobile version