Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka pritur sot në takim përfaqësues të Ambasadës amerikane në Kosovë, të cilët u informuan rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë dhe situatës së krijuar pas pezullimit të vendimit për tarifat e energjisë elektrike.
ZRRE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend.
Ndër të tjera diskutime, u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRRE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor.
ZRRE u zotua se do të bashkëpunojë me të gjithë akterët relevantë të sektorit të energjisë për arritjen e një zgjidhjeje sa më të pranueshme për të gjitha palët.