Universitetet private mund të kapitalizojnë pezullimin nga puna të 11 profesorëve të Universitetit të Prishtinës të zgjedhur deputetë në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës, meqenëse Ligji për Zyrtarët Publikë u lejon atyre të punojnë në sektorin privat të Arsimit të Lartë derisa ushtrojnë pozitën e ligjvënësit në kuvend.
Rrezikun që i kanoset Universitetit të Prishtinës nga hapësirat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë, e ka paralajmëruar sot deputetja e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila nga viti 2004 është pjesë e stafit akademik të UP-së.
Bajrami dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë pjesë e stafit akademik të universiteteve publike, janë detyruar që të pezullojnë pozitën e tyre në universitet derisa janë të mandatuar për të shërbyer si deputetë.
Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili parasheh tërheqjen e 11 deputetëve profesorë nga pozitat që mbajnë në universitetet publike, nuk vlen për universitetet private. Këtë vakum ligjor, sipas deputetes Hykmete Bajrami, mund ta shfrytëzojnë universitetet private. Mund ta dobësojnë Universitetin e Prishtinës.
“Një çështje që nuk e ka ndaluar Ligji për Zyrtarët Publik, është që deputetëve nuk iu ndalon të ligjërojnë në universitetet private. Do të ishte humbje e madhe për Universitetin e Prishtinës në qoftë se këta profesorë që janë deputetë, shkojnë dhe japin mësim diku në universitetet private dhe bazuar në CV-të e tyre, universitetet private mund të akreditohen dhe t’i bëjnë konkurrencë Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Bajrami, në një bisedë telefonike për Insajderin.
Sipas saj, pezullimi i punës në universitet nga 11 profesorë që shërbejnë në kuvend, “do ta varfërojë shumë kualitetin” në Kuvendin e Kosovës dhe asambletë komunale.
“Nuk e di sa është e drejtë, por mund të them që ligji do ta varfërojë shumë kualitetin, qoftë në Parlamentin e Kosovës, qoftë në asambletë komunale, për shkak se i bën njerëzit të zgjedhin në mes të mandatit të deputetit dhe punës të cilën ata e kanë. Unë konsideroj se gjatë mandatit të deputetit, kam pasur mundësi ta kryejë në mënyrë shumë të mirë edhe punën e profesorit për shkak se norma e plotë është gjashtë orë në javë dhe për mua është humbje e madhe në qoftë se detyrohem të shkëputem për katër vite”, ka deklaruar Bajrami.
Ish-ministrja e Financave ka bërë zgjedhjen e saj në mes të kuvendit dhe universitetit.
“Unë e kam pezulluar punën në Fakultetin Ekonomik”, ka nënvizuar Bajrami, e cila ka kontestuar korrektësinë e Ligjit për Zyrtarët Publikë përkitazi me pamundësinë e shërbimit, në të njëjtën kohë, si profesor dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ligji për Zyrtarët Publikë nuk ua lejon të njëjtëve të mbajnë edhe pozitën e deputetit edhe profesorit universitar. Ky ndryshim ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2019.
Pika 6 e Nenit 22 të këtij Ligji thotë se: Në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës se certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundimin e mandatit përkatës, në pozitën ekuivalente.