-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Petritsch skeptik për dialogun për shkak të zgjedhjeve në ShBA dhe BE: Kosova të dalë me një propozim të drejtë

Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, diplomati austriak shpreson që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.

“Mendoj që në vitin 2024 nuk do të ketë shumë përparim në aspektin e përfundimit të hapave që duhet të merren. Me zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, më 2024, presioni politik prej Uashingtonit dhe Brukselit, nuk do të materializohet drejt një zgjidhjeje.

Duhet pasur fokus në dy gjëra. Siguria është në rend të parë për vitin 2024, duhet të ketë përforcim të forcave ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë (EUFOR-i) dhe Kosovë (KFOR-i), dhe ato misione të sigurojnë që incidentet sikurse ai në Banjskë, apo ndonjë incident tjetër i armatosur, të mos zhvillohet. Duhet pasur shumë vëmendje në aspektin e sigurisë.

Tutje ai tha se sa i përket Asociacionit, Kosova duhet të dalë me një propozim të drejtë.

E dyta, viti 2024 duhet të shfrytëzohet – për shkak të vakuumit të udhëheqësisë në SHBA dhe BE – për të punuar më shumë në propozime. E përmendët Asociacionin, mendoj që është në interes të madh të Prishtinës, që të dalë me një propozim të drejtë. Kjo është e rëndësishme. E qartë që Beogradi kërkon sa më shumë për minoritetin e tij, minoritetet gjithmonë dëshirojnë më shumë autonomi. Por, duhet të ekzistojë një zgjidhje që është e drejtë ndaj minoritetit në njërën anë, dhe që nuk e shkatërron sistemin funksional në Kosovë, në anën tjetër.

Po jua them një gjë, që është e rëndësishme, pse tani ka më shumë incidente në krahasim me të kaluarën? Sepse nuk ekziston një zgjidhje për kohë të gjatë, mbi 10 vjet. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin është punë e kryer. Sa më shumë që nuk ka përgjigje konstruktive kjo temë, aq më keq do të bëhet, dhe kjo nuk është diçka që duam. Sepse, kemi mjaftueshëm probleme në Evropë dhe vendet fqinje. Në Lindje të Mesme dhe vendet fqinje. E kemi Ukrainën fqinje. Le të mendojmë sa afër Evropës janë. Nëse shihet në nivel global, këto konflikte i kemi në derë të shtëpisë.

Prandaj, besoj që duhet të ndërmerren iniciativa më proaktive. Është e rëndësishme që Prishtina të dalë me propozime, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të flitet për nivelin teknik. Çfarë gjithmonë flasim për Asociacionin është nëse duhet të ekzistojë një i tillë, por a kemi biseduar ndonjëherë për hollësitë? Si duhet të duket Asociacioni, çfarë kompetenca duhet të ketë?

Duhet të flitet me popullatën. A ka biseduar dikush me qytetarët në veri që preken drejtpërdrejt? A ka biseduar dikush se si do të përmirësohen marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe pakicës që jeton atje? Popullsia atje nuk është 100 për qind me serbë, ka edhe shqiptarë atje. Atëherë si do të funksionojë marrëdhënia mes tyre? Duhet të flitet me njerëzit. Kjo është përgjegjësi, sidomos e udhëheqësisë në Prishtinë, për të kuptuar më shumë për nevojat e tyre. Çfarë idesh kanë, të analizohen ato me seriozitet. Atëherë mendoj që mund të kemi zgjidhje, sepse një dialog i brendshëm në Kosovë mund të prodhojë rezultate më realiste“, ka deklaruar Petritsch për REL.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img