Site icon PrishtinaPress

Petritsch: Koha për vendimin përfundimtar, me një korrigjim të vogël të kufijve

Koha është që të merret vendimi përfundimtar në dialogun mes Beogradit e Prishtinës, ndërsa është i nevojshëm edhe një korrigjim i vogël i kufijve.
Kështu ka deklaruar ish-përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch.

Duke theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjidhja të propozohet nga vetë Beogradi dhe Prishtina, Petritsch shpjegon se vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e pranueshme për të gjithë.

Në intervistën për mediumin “N1”, Petritsch vlerëson se dialogu ka arritur në një fazë kur një zgjidhje e tillë është e nevojshme.

“Nuk besoj se gjëra të tilla (dialogu) mund të vazhdohen pa marrje të vendimeve. Në të kundërtën, do të kemi një konflikt të ngritë të pafund”, ka paralajmëruar Petritsch.

Petritsch ka thënë se në Beograd dhe Prishtinë ekziston gatishmëria për arritje të marrëveshjes dhe rikujton se edhe Komisionit Evropian po i skadon mandati, dhe se si rrjedhojë do të ishte mirë që të arrihej drejt një zgjidhjeje deri në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm.

“Nëse kjo zgjidhje dhe ky propozim dalin të jenë të pasuksesshëm, atëherë druaj kjo do të jetë një disfatë për të gjithë – edhe për Aleksandar Vuçiqin, edhe për Hashim Thaçin, edhe për Federica Mogherinin. Nëse nuk nuk do të ketë një zgjidhje tani, do të kalojë një kohë e gjatë deri sa të shfaqet ndonjë zgjidhje e re. Kjo nuk është një zgjidhje ideale, por politika dhe jeta reale kurrë nuk janë të përkryera”, ka thënë Petritsch dhe ka shtuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja gjithsesi ka sjellë gjëra të mira.

Ai konsideron se nëse zgjidhja do të jetë fryt i kompromisit, dhe nëse do ta ketë mbështetjen e të dyja palëve, do të duhej të pranohej edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Petritsch është shprehur se është i nevojshëm një ndryshim i vogël i kufirit, siç ka qenë rasti me Kosovën dhe Malin e Zi.

Duke theksuar se pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së, Petritsch ka thënë se me një zgjidhje të tillë do t’i jepej fund çështjeve të hapura në Ballkan

Exit mobile version