Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq pretendon se kryeministri Albin Kurti e ka për qëllim të udhëheq me komunat veriore.
Për Petkoviqin, fakti që Kurti u ka uruar kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje fitoren në zgjedhjet lokale në komunat veriore, tregon se ai e ka në program “pastrimin etnik të serbëve”.
“Tani të gjithë e shohin se sa të drejtë kishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kur tha se Kurti me 2 për qind mbështetje të shqiptarëve në veri, dëshiron të sundojë si kryetar komune në mbi 98 për qind të popullatës serbe që nuk duan të jetojnë në shtetin e tij”, ka deklaruar Petkoviq.
Sipas tij, zgjedhjet në veri janë të dhunshme dhe bashkësia ndërkombëtare që po i përkrah mban një përgjegjësi të madhe.
Zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës pritet të mbahen këtë të diel më 23 prill./PrishtinaPress/