I ashtuquajturi Drejtori i ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nuk ka çfarë të bëjë në Soçanicë dhe se po hap ilegalisht një stacion policor pasi që sipas tij është zonë tërësisht serbe.
“Terrori ndaj serbëve dhe shkelja e Marrëveshjes së Brukselit janë bërë disiplina e preferuar e Kurtit. Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në Soçanicë dhe të hapë ilegalisht një stacion policor, sepse pika nëntë e Marrëveshjes së Brukselit thotë se policia në veri të Kosovës duhet të pasqyrojë përbërjen etnike të komunave serbe”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social “X”.
Më pas ai shtoi:
“Është stacion policor në një mjedis krejtësisht serb dhe Kurti po e shndërron në një bazë shqiptare nga e cila përveç bazave të tjera ilegale dhe postblloqeve famëkeqe, falangat e tij do të terrorizojnë popullin serb në Leposaviq!”, ka theksuar Petkoviq.