Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë sot se pjesa politike e konkluzioneve të arritura në bisedën me serbët nga Kosova do të zyrtarizohet në seancën e ardhshme të Qeverisë së Serbisë dhe do të bëhet obligative për serbët, ekipin negociator dhe të gjitha organet e tyre shtetërore.
Dje Serbia ka kërkuar një reagim urgjent nga bashkësia ndërkombëtare që “Prishtina të ndalë shkeljet e ligjit për targa dhe të lejojë lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që përdorin “targa legale dhe legjitime të Serbisë dhe se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të formohet pa kushte, si dhe që njësitë speciale të forcave të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës”.
Petkoviq tha se takimi i së enjtes ishte një mundësi për të diskutuar edhe një herë gjithçka që “po shqetëson popullin serb” në Kosovë.
Ai pretendoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve, por se po bën gjithçka për të dëbuar serbët nga Kosova”.
“Nëse ai nuk dëshiron marrëveshje në tavolinë, atëherë si ai do të dëshirojë formimin e Asociacionit, e cila paraqet thelbin e dialogut dhe pa të cilën nuk ka normalizim të marrëdhënieve”, ka theksuar Petkoviq.
Ai shtoi se ka dërguar një njoftim se dëshiron t’i kalojë Pashkët në Manastirin e Deçanit dhe se ende është në pritje të konfirmimit nga institucionet e Kosovës./PrishtinaPress/