I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur pasditen e sotme se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mundohet që në mënyra të ndryshme ta shmangë obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë momentalisht po thyhen shtiza.
Në pauzë, pas takimit mes Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Petkoviq tha për TV Pink se presidenti serb po lufton për të respektuar Marrëveshjen e Brukselit, transmeton Demokracia.com.
“Kurti po mundohet në çdo mënyrë që të shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit. Ai e bën atë në mënyra të ndryshme dhe me truke të ndryshme. Presidenti Vuçiq po lufton dhe insiston në Asociacion, sepse është obligim i Prishtinës që ekziston për 10 vjet”, ka theksuar ai.