Drejtorin e të ashtuquajturës “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, e ka pranuar ambasadori i Turqisë në Serbi, Hami Aksoy, të cilin “e ka njoftuar” për rrjedhën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar posaçërisht bisedimeve të mbajtura më 14 shtator në Bruksel, ka kumtuar kjo zyre.
“Që Prishtina nuk po ndërmerr asgjë në drejtim të de-përshkallëzimit është e dukshme para së gjithash në terren, ku çdo ditë ndodhin eksese dhe acarime të reja, por u pa qartë edhe në Bruksel, ku Kurti tregoi se nuk donte bisedë apo marrëveshje”, është ankuar Petkoviq
Ai ka pretenduar se në dialogun me Kosovën, Serbia ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Gjë që delegacioni i Prishtinës e refuzoi, duke ua bërë të ditur të gjithëve se “nuk është e interesuar” për negociata, dialog dhe kompromis”, ka pretenduar Petkoviq.
Pretendohet se ai gjithashtu se ka shprehur “shqetësimin për situatën në terren”.
“Kërcënimet e përditshme brutale të Kurtit ndaj popullatë serbe dhe Listës Serbe tregojnë se ai nuk do të ndalet me sulmet ndaj serbëve dhe provokimet dhe sulmet nuk janë në funksion të stabilitetit rajonal”, ka thënë Petkoviq dhe ka shtuar, se “Beogradi është thelbësisht i interesuar” në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye është e rëndësishme të “parandalohet destabilizimi i rajonit” dhe konfrontimet e reja”.