Site icon PrishtinaPress

Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën, shpërndan dezinformata

Lidhur me deklaratën e djeshme të drejtorit të së ashtuquajturës të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, se “Policia e Kurtit ka tentuar disa arrestime në lagjen e bosnjakëve” në veri të Mitrovicës, siç ka thënë ai, “kanë tentuar të arrestojnë dy vëllezërit, Goran dhe Vlada Vuçetiq, në qendër të qytetit, e më pas edhe Miroslav Zhivkoviqin”, bashkëshortja e Zhivkoviqit ka deklaruar dhe e ka mohuar me një video mesazh këtë informacion.

Në video-mesazh, Jelena Zhivkoviq pyet se nga i ka marrë Petkoviq një informacion të tillë që dikush po e ndiqte burrin e saj dhe i kërkon Petkoviqit që t’i drejtohet personalisht dhe t’i tregojë.

“Unë jam Jelena Zhivkoviq, bashkëshortja e të emëruarit të sotëm Miroslav Zhivkoviq të cilin z. Petar Petkoviq e ka përmendur në deklaratën e tij që e ka dhënë në ora 10:00. Dua të them se nuk e di nga e ka marrë z. Petkoviq informacionin se dikush po e ndiqte burrin tim. Burri im ka qenë me familjen mbrëmë, në shtëpi, askush nuk na ka ardhur në derë, as nuk e ka ndjekur. Nga e ka marrë z. Pekoviq një informacion të tillë? Unë dua që ai të na drejtohet dhe të na thotë këtë. Edhe për djemtë Vuçetiq Goran dhe Vlladan, të cilët i ka emëruar, kam folur sot me ta, djemtë kanë qenë nëpër qytet, ecnin, askush nuk i ka ndjekur”, tha Jelena Zhivkoviq.

Kujtojmë se Petkoviq dje në një konferencë për shtyp deklaroi se në pjesën veriore të Mitrovicës veriore “ka pasur një gjendje të vërtetë rrethimi”.

Sipas fjalëve të tij, “mbrëmë, forcat speciale Rosu erdhën nga pjesa jugore e Mitrovicës me mbi 30 automjete të blinduara, të veshura me maska, me tuba të gjatë dhe maltretuan tërë Mitrovicën e Veriut”.
Nuk është hera e parë që Petkoviq shpërndan dezinformata për situatën në Kosovë.

Exit mobile version