Site icon PrishtinaPress

Pesë vrasje brenda muajit në vendin tonë

Pesë jetë u shuan si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit brenda një muaji në Kosovë. Vrasja e fundit ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen “Arbanë” të Prizrenit, ku u vra një 48-vjeçar me inicialet B.M. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari Aziz Gashi, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një tjetër vrasje e rëndë tronditi Kosovën ditë më parë. Mesditën e 31 gushtit, një 29-vjeçar u vra në fshatin Balincë të Malishevës, pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur mes viktimës dhe dorasit. Ngjarja me epilog tragjik për 29-vjeçarin nga Bubaveci thuhet të ketë ndodhur në tregun e druve. Ndonëse, organet e hetuesisë nuk kanë treguar motivet dhe rrethanat e vrasjes, pretendohet që zënka të ketë ndodhur shkaku i një borxhi, me ç’rast 40-vjeçari me inicialet A.G. nga fshati Balincë, ka qëlluar për vdekje viktimën me inicialet Sh.K. Lidhur me rastin janë arrestuar tetë persona.

Muaji gusht ishte fatal edhe për jetën e një 39-vjeçari nga Skenderaj. Ai u vra nga të shtënat me armë zjarri më 10 gusht në një kafene në fshatin Runik, ndërsa të plagosur mbetën tre të tjerë. Lidhur me rastin, Policia ende nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar.

Po ashtu, më 7 gusht në një lokal në qytetin e Klinës, në pjesën perëndimore të Kosovës, me armë zjarri u vra një person rreth të 50-tave, A.P. Viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë. I dyshuar për këtë rast është Tush Frroku, i cili është dorëzuar në polici dhe i njëjti ndodhet në paraburgim.

E një përleshje mes dy grupeve që përfundoi me pasoja fatale për jetën e një 39-vjeçari me inicialet K.R, ndodhi më 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Prokuroria në njoftimin e saj ka konstatuar se nga arma e zjarrit janë plagosur edhe gjashtë persona të tjerë, ndërsa 13 persona kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, dy prej të cilëve janë liruar nga paraburgimi më 29 gusht.

Nga janari deri në korrikun e 2023-së kanë ndodhur 14 vrasje, prej të cilave dy nga pakujdesia, sipas autoriteteve të rendit në Kosovë. Ndërkaq, në vitin 2022 janë regjistruar 21 vrasje, dy prej të cilave janë shkaktuar, po ashtu, nga pakujdesia.

Psikologu Arbër Zeka përmend posedimin e armëve ilegale në duart e qytetarëve si një nga arsyet që po sjell vrasje në Kosovë.

Ai thotë se edhe paqëndrueshmëria ekonomike, trauma emocionale e kolektive janë disa nga faktorët.

“Ka pasur një valë rritje të vrasjeve në Kosovë, me vëmendjen e përqendruar shpesh në të njëjtën pyetje: Pse po rritet numri i vrasjeve? Megjithatë, nëse ajo që bëjnë njerëzit është një reflektim i asaj se kush jemi, atëherë kjo tregon se gjendja jonë sociale dhe psikologjike është në krizë të vërtetë. Dhe unë mendoj se shëndeti mendor është problem kyç këtu”, shprehet Zeka për Telegrafin.

“Në mënyrë të veçantë gjendja e shëndetit mendor në vendin tonë po nxit drejt agresionit ose dhunës. Po ashtu, mund të theksojmë se faktorë të shumtë kanë ndikuar në këtë fenomen, nga trauma emocionale e kolektive që po kalojmë dhe paqëndrueshmëria ekonomike, e deri tek mbajtja e armëve me leje dhe pa leje. Si vend dhe si shoqëri në Kosovë, ne nuk kemi një përgjigje të saktë për këtë, por urgjente duhet të përpiqemi të gjejmë përgjigje dhe të krijojmë faktorë mbrojtës”.

Sipas tij, ka një serë faktorësh që ulin rrezikun nga vrasja dhe dhuna.

“Duhet të kuptojmë dhe trajtojmë faktorët psikologjikë, ekonomikë dhe socialë. Duke promovuar marrëdhënie dhe komunikim të shëndetshëm, të respektueshme dhe jo të dhunshme, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rasteve të dhunës dhe vrasjeve te një shoqëri e cila është në krizë psikologjike kolektivisht, nga një mentalitet shpesh tradicional ku dhuna ka parahistorinë dhe historinë e saj”, thotë tutje Zeka.

Vrasjet e fundit të ndodhura në Kosova janë shqetësuese thotë edhe sociologia Flakë Ymeri.

Si Zeka, edhe ajo përmend mbajtjen dhe mungesën e kontrollit ndaj armëve pa leje si një nga shkaktarët kyç të kësaj situate.

“Vrasjet e fundit të ndodhura në Kosovë janë shqetësuese dhe kanë krijuar shumë mundësi për komentim sepse si ngjarje janë traumatike duke mos u ndier të sigurt të lëvizim të lirë në hapësira publike, ku siguria duhet të jetë në nivel të lartë”, thotë Ymeri për Telegrafin.

“Kaosi social i ndodhur kohëve të fundit, gjendja emocionale jo e qëndrueshme bën që njerëzit në situata konfliktuoze të mos menaxhojnë me veten e tyre, mungesa e kontrollit ndaj armëmbajtjen pa leje bën që të vijmë në këto situata. Mungesa e sanksioneve penale ndaj personave që mbajnë armë pa leje është po ashtu një nga shkaktarët”.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), thonë se janë duke punuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të mira për zvogëlimin e armëve të paligjshme.

Në bazë të një hulumtimi në vitin 2015, në Kosovë gjinden rreth 250,000 armë ilegale në posedim të qytetarëve, derisa në MPB nuk kanë dhënë informacione sesa është numri i tyre tash në Kosovë.

Exit mobile version