Samiti i madh i NATO-s në Uashington do të mbahet së shpejti, nga 9 deri më 11 korrik.
Radio Evropa e Lirë shpjegon pesë gjërat të cilave duhet t’i ndiqni me vëmendje gjatë tubimit të 32 vendeve aleate dhe disa mysafirëve të rëndësishëm në kryeqytetin amerikan.
A është Ukraina vërtet afër anëtarësimit në aleancë?
Njëra prej gjërave kryesore që do të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
Përpilimi i këtij dokument, i cili përbëhet zakonisht nga disa faqe, është duke ndodhur tash e disa javë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës.
Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s tash, kjo është shumë e qartë.
NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar, sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Mund të hidhen poshtë edhe idetë kreative por të pamundura për lejimin e klauzolës së përbashkët të NATO-s për mbrojtjen, Neni 5, ta mbulojë territorin ukrainas që është tash për tash nën kontrollin e Kievit, por jo edhe pjesën që Moska e ka pushtuar. Sipas zyrtarëve të NATO-s, ideja është që në samitin e sivjetmë të shkohet më larg krahasuar me deklaratën e Vilniusit nga samiti në kryeqytetin lituanez vitin e kaluar.
Edhe këtë herë pritet diçka e ngjashme, apo madje gjuha e ngjashme, edhe pse gjasat janë që nuk do të caktohet ndonjë datë. Në komunikatën e Vilniusit u theksua se “ne do të jemi në gjendje t’ia dërgojmë ftesën Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës kur aleatët të jenë pajtuar, dhe kur kushtet të jenë pjekur”.
REL-i ka mësuar se dy aspekte mund të përfshihen në dokumentin e sivjetmë. Zyrtarët amerikanë, sikurse sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, së voni e kanë përdorur termin “ura drejt anëtarësimit” kur kanë folur për Ukrainën dhe NATO-n, prandaj pritet që kjo të zërë vend në komunikatën përfundimtare, edhe në qoftë se është e paqartë se çfarë nënkupton kjo fjali saktësisht.
Një fjalë tjetër që mund të përfshihet në komunikatë është fjala “e pakthyeshme”, që nënkupton se rruga e Kievit drejt NATO-s është e shtruar.
Çfarë do të fitojë Ukraina?
Para së gjithash, shumë aleatë pritet të njoftojnë në samit më shumë furnizim dypalëshe me armë për Ukrainën. Pyetja, si gjithmonë, do të jetë se sa shpejt do të arrijnë armët në fushëbetejë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të jetë i pranishëm në samit dhe ka shpresë në mesin e zyrtarëve të NATO-s se nuk do të ketë një përsëritje të samitit të Vilniusit, në të cilin ai shprehu zhgënjimin në një postim në X para takimit, se Kievit nuk i ishte dhënë një orar i qartë për anëtarësim.
Në fakt, pak a shumë është arritur pajtueshmëri për dy temat e mëdha që do të bëhen të ditura në samit.
NATO-ja do të fillojë ta marrë përsipër bashkërendimin e dhurimit të armëve dhe municioneve Ukrainës. Deri tani, këtë e bënte grupi Ramstein i udhëhequr nga SHBA-ja, pjesë e të cilët janë mbi 50 vende kryesisht perëndimore, të cilat janë takuar rregullisht prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
Njoftimi i dytë do të jetë financimi ushtarak i Ukrainës. Shifra të ndryshme janë përmendur. Shefi i NATO-s Stoltenberg së pari propozoi rreth 100 miliardë dollarë për pesë vjet. Tani, duket se aleatët kanë ardhur në përfundim për 40 miliardë dollarë për shumë vjet.
Skepticizmi i Trumpit
Nuk ka se si të shmanget kjo. Ish-presidenti amerikan (mbase presidenti i ardhshëm amerikan), Donald Trump, mund të jetë njeriu për të cilin flitet më së shumti në një samit pa qenë fare i pranishëm atje. Konventa Kombëtare Republikane, ku Trumpi do të caktohet zyrtarisht kandidat i partisë për president amerikan, do të nisë vetëm katër ditë pas samitit.
Në një mënyrë apo tjetër, samiti i NATO-s do të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore. Shumë prej mesazheve dhe vendimeve që do të dalin nga samti, do të jenë përgjigje për skepticizmin e Trumpit për aleancën dhe për mbështetjen e vogël që ai ka treguar për përpjekjet e Ukrainës për luftë.
Një tjetër gjë që e ka brengosur Trumpin ka të bëjë me shpenzimet ushtarake të aleatëve evropianë. Në të kaluarën, Trump i ka kritikuar vendet anëtare që nuk e kanë arritur cakun e NATO-s prej 2 për qind të GDP-së për shpenzim në mbrojtje, si dhe ka thënë se do ta lejonte Rusinë t’i sulmojë ato vende të cilat nuk paguajnë, duke e vënë në dyshim parimin thelbësor të NATO-s.
Për këtë, në samitin e Uashingtonit do të flitet për shumë shifra në lidhje me atë se sa shumë i kanë rritur aleatët shpenzimet në vitet e fundit. Më 2014 u dha një zotim se të gjitha vendet anëtare duhet ta arrijnë cakun prej 2 për qind brenda një dekade. Ky zotim nuk është përmbushur plotësisht, sepse 23 nga 31 vende aëntare sot shpenzojnë kaq ose më shumë për ushtrinë.
Por, NATO-ja do të përgjigjet shpejt për të nënvizuar se ky numër është i “vjetër” dhe se Evropa dhe Kanadaja kanë shpenzuar 640 miliardë shtesë në mbrojtje prej atëherë.
Një rikujtim nga Vilniusi
Përveç Këshillit NATO-Ukrainë në nivel liderësh, do të ketë edhe dy sesione të tjera pune në samit. I pari ka të bëjë me atë se sa e përgatitur është NATO-ja në rast se do të sulmohej. Vitin e kaluar në Vilnius, u miratuan një numër planesh për mbrojtjen, në mënyrë që të mbrohej “çdo centimetër e territorit të NATO-s”.
Tani duhet të shikohet nëse ato plane janë duke kryer punë – më e rëndësishmja për të parë nëse armët dhe logjistika janë të vendosura. NATO-ja i ka 500.000 trupa në gjendje gatishmërie dhe është duke stërvitur në një shkallë të paparë prej Luftës së Ftohtë. Por, një zyrtar i NATO-s e pranoi se planet “janë funksionale”, por shtoi me kujdes: “Nëse NATO-ja sulmohet sot, ato do të funksionojnë, por ka ende gjëra që mungojnë”.
Është thënë se kundërajrorët në krahun lindor të aleancës kanë mungesë municioni, por blloku ka nevojë për më shumë raketa me rreze të gjata veprimi dhe tanke.
Sesioni i dytë i kushtohet Kinës. Derisa aleanca është ende e përqendruar në teatrin atlantik, është e qartë se po i vëzhgon me një sy edhe zhvillimet në Paqësor dhe ndikimin e Kinës atje, e shtyrë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara. Sikurse në dy samitet e fundit, liderët e NATO-s nga Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, do të jenë të pranishëm. Pritet nënshkrimi i shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat si, mbrojtja kibernetike dhe siguria detare.
Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?
Natyrisht, presidenti amerikan, Joe Biden, do ta tërheqë vëmendjen e të gjithëve, i cili është nikoqir i takimit, posaçërisht pas paraqitjes së tij të dobët në debatin përballë Trumpit.
Kritikat do të jetë të mëdha, por pyetja është sa herë do të paraqitet ai në media gjatë asaj jave. Herët a vonë, ai duhet të takohet me shtypin, por ia vlen të theksohet se ai nuk mbajti konferencë në samitin e Vilniusit vitin e kaluar, që është gjë e pazakontë për një president amerikan.
Në Uashington ai duhet të jetë më i gjallë. Duke qenë mbrapa në sondazhet presidenciale, është e qartë se këshilltarët e tij do të duan që samiti të planifikohet dhe kontrollohet në mënyrë që ai ta shmangë çfarëdo gafe të panevojshme.
Por, Biden nuk është lideri i vetëm nga vendet e mëdha perëndimore që po lufton për mbijetesë politike. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të mbërrijë në Uashington pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat aleanca e tij e qendrës së djathtë ka rënë nga grupi më i madh në fuqinë e tretë në Parlament, me vetëm 100 deputetë.
Në Gjermani, Olaf Scholz dhe koalicioni i tij pritet të pësojnë disfatë në zgjedhjet nacionale vitin e ardhshëm, që nënkupton se Berlini, Parisi dhe Uashingtoni përfaqësohen në shumë mënyra nga liderë të dobësuar politikisht.
Ndërkohë, shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, i cili e merr detyrën zyrtarisht nga Stoltenberg në vjeshtë, do të ketë shumë punë. Stoltenberg, sekretari që shërbeu më së gjati në krye të NATO-s, do të mungojë posaçërisht për aftësitë e tij për të kaluar mirë me shumicën e liderëve dhe për gjetjen e pajtueshmërisë. Në këtë kuptim, Rutte do të jetë disi pasuesi i tij natyral. /REL/